Biznes Albania mori pjesë në Takimin Tripalësh të Nivelit të Lartë me temë “Përmirësimi i aksesit në mbrojtjen sociale për punonjësit sezonalë vendas në sektorin e turizmit në Shqipëri”, i zhvilluar më 25 mars 2026 në Tiranë.
Ky aktivitet u organizua nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), në kuadër të programeve që synojnë forcimin e mbrojtjes sociale dhe formalizimin e tregut të punës në Shqipëri dhe rajon. Takimi mblodhi përfaqësues nga institucionet qeveritare, partnerët socialë, organizatat e punëdhënësve dhe punëmarrësve, si dhe ekspertë ndërkombëtarë, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e mbulimit me mbrojtje sociale për punonjësit sezonalë, veçanërisht në sektorin e turizmit.
Gjatë diskutimeve u prezantuan:
- Gjetjet kryesore të raportit të ILO-s mbi barrierat strukturore që hasin punonjësit sezonalë
- Përvoja nga vende të Bashkimit Evropian si Greqia, Spanja, Portugalia dhe Italia
- Modele të ndryshme të politikave për përmirësimin e përfitimeve dhe aksesit në sigurimet shoqërore
Në kuadër të dialogut trepalësh, u trajtuan çështje të rëndësishme si:
- rregullat e kontributeve dhe periudhat e kualifikimit sfidat specifike të sektorit të turizmit
- nevoja për zgjidhje administrative më efikase
- drejtimet e politikave për një mbulim më gjithëpërfshirës me mbrojtje sociale
Pjesëmarrja e Biznes Albania në këtë aktivitet nënvizon angazhimin e saj për të kontribuar në përmirësimin e kushteve të punës dhe mbrojtjes sociale për profesionistët dhe punonjësit sezonalë, duke mbështetur një zhvillim të qëndrueshëm dhe të formalizuar të tregut të punës në Shqipëri.
