Mblidhet Bordi Drejtues i BiznesAlbania. Merr pjese edhe Kryebashkiaku i Tiranes, z. Lulzim Basha.

Tiranë, më 27.01.2012
NJOFTIM SHTYPI

Shoqata “BiznesAlbania” zhvilloi ditwn e premte, datë 27 janar 2012 mbledhjen e saj të zgjeruar, me pjesëmarrjen e Bordit Drejtues dhe të anëtarëve të tjerë të saj. Në këtë mbledhje merrte pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha.

Mbledhja e Bordit u fokusua tek disa nga problemet kryesore që sipërmarrja e kryeqytetit i kishte adresuar pak muaj më parë kryetarit të metropolit shqiptar, por trajtoi, në një frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi të ndërsjelltë edhe probleme të tjera.
Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, në fjalën e tij të hapjes së këtij takimi theksoi se “si shoqatë kemi dëshirën për të bashkëpunuar me Bashkinë e kryeqytetit”.
“Nuk është fjala për t’i krijuar vetes privilegje të pamerituara dhe as salltanete që vijnë për shkak të kontributeve tona në jetën ekonomike dhe sociale të vendit në përgjithësi dhe Tiranës në vecanti, tha z. Bregasi, duke shtuar se ”duam vendin që meriton të ketë biznesi i kryeqytetit”.

Më pas Presidenti i BiznesAlbania parashtroi disa kërkesa të Bordit Drejtues tw shoqatës, duke i kërkuar kryebashkiakut të Tiranës që ato të merren parasysh nga ai dhe stafi i tij. U kërkua që biznesi që ushtron veprimtarinë e tij në juridiksionin e kryeqytetit, të jetë në të ardhmen pjesë e konsultimeve për çdo vendimarrje që prek interesat e biznesit, duke ofruar konsulencën dhe përvojën e fituar në fusha të tilla të rëndësishme si ato të planifikimit urban, të tatim-taksave, etj. BiznesAlbania i propozoi kryetarit të Bashkisë që të promovojnë së bashku sipërmarrjet më të mira dhe individët e suksesshëm të biznesit, organizimin e panaireve të përbashkëta etj.

Anëtarë të Bordit drejtues të BiznesAlbania ngritën probleme të ndjeshme për ecurinë e biznesve të shoqatave që përfaqësonin. Kryetari i Bordit Drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, njëkohësisht zëvendëspresident i BiznesAlbania, z. Luigj Aleksi i tha kryebashkiakut Basha të ndikojë për shtyrjen deri në fund të muajit qershor nw afatin e rivlerësimit të pasurive lidhur me procesin e nisur të hipotekimit të ndërtimeve në Tiranë.
“Lidhur me Planin e ri Rregullues dhe Ligjin e Urbanistikës kërkojmë të krijohet një urë bashkëpunimi mes institucionit tuaj dhe Shoqatës së Ndërtuesve”,- tha zoti Aleksi, duke shtuar se ky bashkëpunim nevojitet për implementimin e këtij ligji, që është mjaft i vështirë. Zëvendëspresidenti Aleksi vuri më pas theksin te bashkëpunimi publik-privat, sidomos në investimet në zonat e reja urbane të planifikuara nga pushteti lokal.

Në emër të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, z. Viktor Nushi i kërkoi kryebashkiakut që në planin e ri rregullues të Tiranës, të planifikohet që tani shtrirja e rrjetit të hidrokarbureve, kjo të mos i lihet spontaneitetit dhe të bëhet me një garë të hapur publike.

Presidenti i Konfindustria Shqiptare, z. Hajredin Fratari, pasi vlerësoi punën e Bashkisë së Tiranës në masat e marra për lehtësimin e trafikut të mjeteve dhe mbrojtjen e mjedisit, i tha z. Basha se në Tiranë për çdo ditë hyjnë rreth 10-12 mijë makina për nevoja të ndryshme. Ai kërkoi të shihet mundësia e krijimit të një zonë në periferi të kryeqytetet dhe për këtë solli një përvojë italiane, të sjellë nga bashkia e Barit. Ndërsa cilësoi emergjente shpalljen e koncensioneve për ndërtimin e garazheve (parkimeve) nëntokësore.

Gëzim Peshkopia, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës së Shqipërisë, bëri një propozim konkret duke kërkuar ndihmën e drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë për të arritur një standardizim të tregtimit të bukës në Tiranë, duke vënë theksin se ka ardhur koha që të standardizohet pesha e bukës sipas llojit dhe tregu të vendosë më pas për çmimin e këtij produkti. Kjo do të bëjë që blerësi të dijë cfarë buke merr dhe prodhuesi të detyrohet të plotësojë kushtin ligjor të peshës dhe standardin e prodhimit të tij, për të shmangur abuzimet që vihen re, tha z. Peshkopia. Z. Peshkopia vuri në dukje edhe informalitetin e prodhimit të bukës në rrethinat e kryeqytetit dhe tregtimin e tij të pakontrolluar në dyqanet e Tiranës.

Më tej e mori fjalën presidenti i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Zak Topuzi, i cili falenderoi z. Basha për uljen nga 5 në 3 % të taksës së fjetjes. Ai kërkoi nga kryetari i Bashkisë që Tirana të kthehej në një vend të vizitueshëm nga të gjithë, duke kërkuar që Pallati i Brigadave, Bashkia, apo institucione të tjera që kanë vlerë muzeale, me qëllim për të rritur numrin e turistëve në këtë qytet, sidomos të atyre që vijnë nga viset shqiptare.

Petrit Ymeri, Kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptare, duke folur lidhur me problemet e shoqatës që drejton kërkoi përmirësimin e punës me bibliotekat e lagjeve të Tiranës, një rrjet, që sipas tij wshtw duke u amortizuar dhe që duhen rikthyer në gjendjen e tyre normale. Ai ofroi edhe ndihmën e sipërmarrjes për të qënë pjesë e investimeve të përbashkëta në këtë fushë.

Sherif Bundo, Kryetar i Shoqatës së Kontabilistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Bordit të BiznesAlbania i kërkoi kryetarit Basha, që si administrator i Tiranës të orientonte Bashkinë e Tiranë dhe administratën të jetë e hapur për të diskutuar me ekspertët e biznesit. “Sot ka një model që quhet modeli më i mirë i menaxhimit të pushtetit lokal dhe ky është modeli gjerman, i cili përcakton se njw bashkëpunim i pushtetit lokal, biznesit dhe bankave sjell një sukses të jashtëzakonshëm për qytetin e Tiranës”, tha z. Bundo.
Në ekonominë e tregut, prania e popullsisë nuk është shqetësim, tha z. Bundo, por është klientelë që të garanton suksesin, edhe të biznesit, edhe të politikës.

Presidenti i Unionit Agroushqimor, Roland Hysa, që vetëm në Tiranë ka rreth 700 subjekte, tha se është herë e parë që pas 13 vitesh që është konfiguruar tregu agroushqimor, Bashkia e Tiranës është e interesuar që ky treg të funksionojë sa më mirë.
Ai tha se Bashkia ka marrë kështu mirënjohjen e të gjithë tregtarëve të kryeqytetit për këtë fakt. Duke folur për ndryshimet e pritshme në planet e rregullimit të kryeqytetit z. Hysa i kërkoi kryebashkiakut që të përcaktojë sa më shpejt se ku do të jetë tregu i ri i fruta-perimeve të Tiranës, me qëllim që biznesi të planifikojë investimet në të ardhmen. Z. Hysa tha gjithashtu se ka problem edhe me qarkullimin e makinave të fermerëve dhe të tregtarëve në unazën e Tiranës apo në rrugët brenda saj, duke kërkuar të gjendet një zgjidhje e pranueshme.

Ilir Mataj, President i ANALTIR, Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë Rrugorë, ngriti problemin e qarkullimit të mjeteve të transportit ndërkombëtar brenda dhe jashtë unazës së Tiranës dhe kërkoi që menaxhimi i këtij transporti duhet të rirregullohet, në bashkëpunim edhe me Policinë Rrugore.

Astrit Miho, President i Shoqatës “Bashkimi Kombëtar i Ruajtjes”, ngriti një problem shumë të ndjeshëm që ka të bëjë me investimet e operatorëve publikë apo privatë në një rrjet të infrastrukturës, si asaj telefonike, te IT, të TV etj., rrjeti kabllor i të cilëve i jep një imazh shumë të keq kryeqytetit. Ai propozoi një ndërhyje energjike të bashkisë për ta zgjidhur këtë problem, në kushtet kur ekziston i tërë rrjeti nëntokësor.

Donika Mici, zëvendëspresidente e BiznesAlbania i kërkoi z. Basha, jo më si kryetar i Bashkisë, por edhe si përfaqësues i maxhorancës qeverisëse, që të ndikonte sa mundej në adresë të qeverisë duke kërkuar që të gjitha tenderat e veshjeve dhe të këpucëve që i nevojitet institucioneve publike të vendit, të kalojnë në menaxhimin e subjekteve vendase private, të cilat kanë treguar se janë partnerw të besueshëm për investitorët e huaj, dhe nuk ka pse të mos jenë të tillë edhe për qeverinë shqiptare.

Duke e marrë fjalën në këtë takim, Z. Basha, ka falenderuar fillimisht organizatorët si dhe të gjithë të pranishmit, edhe për opinionet e mendimet e tyre në adresë së Bashkisë së Tiranës.
“Vizioni i Bashkisë së Tiranës, program dhe veprimtaria e përditshme e saj ka në themel konsultimin e vazhdueshëm dhe mbajtjen në kontakt me botën e biznesit, përpjekjen për të ndërtuar një partneritet të ndershëm dhe të drejtë midis Bashkisë së Tiranës dhe komunitetit të biznesit të Tiranës dhe ky nuk është as luks dhe as një veprim që vjen për shkak të dashamirësisë. Eshtë një domosdoshmëri, theksoi z. Lulzim Basha.
Më pas kryetari i Bashkisë së Tiranës u ndal në nevojën për krijimin e funksionimin e një kanali komunikimi të vazhdueshëm me biznesin. Z. Basha informoi BiznesAlbania se duke filluar nga data 1 shkurt e këtij viti, procedurat e bashkisë së Tiranës, nuk do t’i marrin biznesit kohën e tij të vlefshme, por do të disiplinohen të gjitha këto procedura në shërbimin me një ndalesë.

Kryetari Basha kërkoj që sfidat e Bashkisë së Tiranës të konsideroheshin sfida të përbashkëta mes këtij institucioni dhe sipërmarrjes. Ai përmendi me këtë rast serish problemet e hipotekimit dhe tha se rreth 700 milionë euro që janë “ngurtësuar” janë një injeksion për ekonominë e biznesve tuaja, por edhe për të rritur punësimin.
“Asnjë objekt me lejë ndërtimi nga Bashkia e Tiranës, nuk do të mbetet pa u hipotekuar, sado e vështirë të jetë situata, edhe sikur të na duhet t’i kërkojmë qeverisë qëndrore të bëjë ndërhyrje në legjislacionin kombëtar”,- nënvizoi z. Basha, duke shtuar se kjo do të përfundojë brenda vitit 2012. Ai e konsideroi këtë një sfidë personale, por edhe si një “valvol”, siç e përcaktoi ai, për tregun e pasurive të paluajtshme dhe një provë e vetbesimit për të ardhmen.

Duke folur për planin e ri urbanistik, z. Basha tha se ky plan nuk synon të pasurojë ndokënd brenda natës dhe as t’i heqë ndokujt investimet e bëra. Zhvillimi kuturu po kthehet në kosto dhe kjo nuk duhet të ndodhë, tha z. Basha.

Kryetari i Bashkisë ka përmendur më pas disa nga projektet kryesore të ndërmarra dhe ka kërkuar bashkëpunimin e plotë të sipërmarrësve të kryeqytetit.

Z. Luan Bregasi, në emër të BiznesAlbania, ka falenderuar z. Basha dhe ka siguruar në një bashkëpunim të ndërsjelltë, më efikas se deri tani.

Më pas Bordi Drejtues i BiznesAlbania diskutoi dhe miratoi “Objektivat dhe aksionet për realizimin e tyre gjatë vitit 2012”. Ndryshimet në statut u lanë të diskutohen dhe të miratohen në mbledhjen e ardhshme të Bordit Drejtues.

On January 28th, 2012, posted in: Lajmet e fundit by

Comments are closed.